Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik.
Një aksident ka ndodhur edhe mbrëmjen e sotme në rrugën Shtime – Suharekë, saktësisht në Carralevë.
Sipas pamjeve të publikuara, një veturë me targa të huaja ka përfunduar jashtë rrugës pasi është rrokullisur si pasojë e përplasjes me një furgon.
Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë mbetur të lënduar dhe të njëjtit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
“Në ora 17:30 është raportuar për një aksident trafiku në Carralevë, në rrugën Shtime-Suharekë. Patrullat e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor të Prizrenit kanë dalë në vendngjarje dhe nga vendi i ngjarjes kanë raportuar se në aksident janë të përfshira dy automjete civile, tre persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore si dhe janë shkaktuar dëme materiale në të dy automjetet”, kanë bërë të ditur nga Policia.