Tetë persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot rreth orës 04:00 të mëngjesit, në rrugën Përmet-Këlcyrë.
Lidhur me këtë ngjarje të trishtë, detaje ka dhënë policia shqiptare.
Në njoftim thuhet se dyshohet se deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi automjetin.
“Dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e organeve të rendit thuhet se nën drejtimin e Prokurorit po punohet për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
“Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik. Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.