Një aksident tragjik mes dy automjeteve ka ndodhur mbrëmë në Luksemburg, ku pesë persona kanë humbur jetën.
Lajmi bëhet edhe më i rëndë pasi tre nga këta viktima dyshohet se janë shqiptarë.
Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur të hënën (1 shtator) rreth orës 18:10 në rrugën N15, mes Feulen dhe Heiderscheid, ku një veturë dhe një furgon u përplasën kokë më kokë.
Pas përplasjes, të dy automjetet morën flakë dhe u shkatërruan plotësisht. Autoritetet konfirmuan se të pesë pasagjerët e mjeteve humbën jetën në vendngjarje.
Shkaqet e sakta të aksidentit ende po hetohen, ndërsa dihet se në vendin e ngjarjes kufiri i shpejtësisë është 50 km/h.
Një numër i madh ekipesh emergjence u mobilizuan, përfshirë disa autoambulanca, zjarrfikës nga zonat përreth, një helikopter shpëtimi ajror dhe një mjek urgjence. Njësia për mbështetje psikologjike e Shërbimit Kombëtar të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit (CGDIS) ishte gjithashtu e pranishme.
Një zëdhënës i CGDIS konfirmoi të martën se në aksident nuk ishin të përfshirë persona të tjerë.
Autoritetet e Diekirch kanë nisur procesin e identifikimit të viktimave, por ende nuk janë bërë publike të dhëna mbi moshën, gjininë apo identitetin e tyre.