Një operacion policor në Shqipëri, i koduar me emrin “Puzzle”, ka vënë në pranga 10 persona, ndërsa edhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim pas një hetimi 5-mujor.
Rasti ka të bëjë me trafikim të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë
Siç njofton policia e Tiranës, nga ky operacion janë sekuestruar 14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me shurdhues, dhe 2 automatikë), 2077 fara kanabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
“Në kuadër të operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç”, ka njoftuar policia e Tiranës.
Sipas njoftimit, siç transmeton Klankosova.tv, nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.
“Gjatë periudhës hetimore, në kuadër të këtij procedimi, më datë 01.04.2025, janë ndaluar shtetasit A. P dhe K. P., pasi u kapën në flagrancë me 2 armë zjarri, të dyshuara të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. F, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 2077 fara kanabisi”, njoftoi policia.
U tha po ashtu se po punohet për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, tha se po bashkëpunojnë intensivisht me autoritet policore kosovare për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale