Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.G., i cili aktualisht gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe ndaj të pandehurës A.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e njëjta ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Sipas aktakuzës, “i pandehuri D.G., me datë 04.05.2023 rreth orës 17:30min në lagjen Arbana të Prizrenit, në hyrje – dalje të autostradës Prizren – veri, pa autorizim dhe me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes, posedon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “marihuanë”, mirëpo të njëjtat nuk arrin t’i shesë pasi që ndërhynë policia, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur afër qytetit të Pejës, me veturën e tij personale “BMW” të cilën po e drejtonte e pandehura A.M., sapo arrijnë afër pompës së derivateve, ndalen nga patrulla policore, mirëpo gjatë parkimit drejtuesja e automjetit niset me vrull duke vazhduar në drejtim të lagjes “Arbana” me shpejtësi të madhe, edhe pse e ndjekur pas nga patrulla policore, e njëjta kryen vozitje të rrezikshme ku gjatë kyçjes në rrugën “Skender Latifi” godet ulëset së bashku me tavolinat e një lokali që ndodhej aty, dhe më pas vazhdon deri në kryqëzimin e rrugës “Ismail Qemali” ku vetura pëson dëme duke i plasur goma e parë djathtas”
“Në ato momente nga dera e pasme del i pandehuri D.G., hap bagazhin nga ku merr një thes dhe vazhdon të ikë duke kaluar pengesa e mure të shtëpive, derisa zyrtarët policorë arrijnë ta kapin brenda një oborri ku edhe i vendosin prangat dhe sekuestrojnë nga i njëjti një thes ngjyrë kafe në të cilin kishte dy qese plastike me substancë të dyshuar për narkotikë, e gjithë kjo sasi narkotiku në peshë të përgjithshme prej 2 kg 180.74 gram, e cila pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit kanabis – marihuanë”, njofton prokuroria.
Ndërsa, e pandehura A.M., në datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje e ndihmon të pandehurin D.G., në shmangien e zbulimit dhe arrestimit, duke ndërmarrë veprime për pengimin e arrestimit të tij, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Po ashtu, lidhur me rastin, si mjete të kryerjes, janë konfiskuar sendet të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale:
Vetura e tipit BMW, pronë e të pandehurit D.G., 1(një) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 1093.23 gram; 1(një) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 1087.51 gram; Një thes ngjyrë kafe; Një (1) Sprej me ngjyrë të zezë; Dy (2) Grinder – Mulli.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, përfundon njoftimi.