Aktakuzë për korrupsion ndaj ish-drejtoreshës në Kamenicë, ish-shefit të kabinetit të kryetarit dhe tre zyrtareve tjerë

Aktakuzë për korrupsion ndaj ish-drejtoreshës në Kamenicë, ish-shefit të kabinetit të kryetarit dhe tre zyrtareve tjerë

 Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtoreshës së Drejtorisë së Administratës Komunale në Kamenicë, Brikenë Ramabaja, ish-shefit të Kabinetit të ish-kryetarit, Meriton Ramabaja, ish-zyrtarit Pëllumb Jahiri dhe zyrtarëve komunal Ismajl Zubaku dhe Florim Demolli, duke i ngarkuar ata për keqpërdorim pozite se dëmtuan komunën në shumë prej 35 mijë e 731 euro e 50 centë, duke nënshkruar raportin e pranimit të mallit për tenderin përkatës, pa e pranuar fare atë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në këtë rast, për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik po akuzohet edhe pronari të i kompanisë “A.R.F”, Avdi Koca.

Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, seancan fillestare në këtë rast pritet të mabahet në fund të këtij muaji, në Gjyaktën Themelore në Gjilan.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 28 prill 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtoreshës së Drejtorisë së Administratës Komunale në Kamenicë, Brikenë Ramabaja, ish-shefit të Kabinetit të ish-kryetarit, Meriton Ramabaja, ish-zyrtarit Pëllumb Jahiri dhe zyrtarëve komunal Ismajl Zubaku dhe Florim Demolli, si dhe pronarit të kompanisë “A.R.F”, Avdi Koca.

Sipas aktakuzës, Avdi Koca, më 20 tetor 2020, në Kamenicë, ka shkelur me vetëdije rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Furnizim me dollap për shkolla” në Komunën e Kamenicës, në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të mashtrimit gjatë procedurës lidhur me kontratat e prokurimit publik, nuk i ka zbatuar obligimet që dalin nga kontrata me përfitim për vete duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës në shumë prej 35 mijë e 731 euro e 50 centë, dhe atë për 287 dollapa dhe 8 ngjyra për 10 shkolla, edhe pse ai mall nuk është pranuar fare në komunë.

Me këtë, Avdi Koca akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 e 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Pëlumb Jahiri, Ismajl Zubaku, Florim Demolli, Brikenë Ramabaja dhe Meriton Ramabaja, mes 13 nentorit, 21 e 23 dhjetorit 2020, kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, ashtu që bashkërisht i tejkalojnë kompetencat e tyre duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim përfitimi të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se, të akuzaurit pa u siguruar mirë lidhur me pranimon e mallit, kanë nënshkruar pranimin e mallit në tenderin përkatës, dhe atë për 287 dollapa dhe 8 njgjyra për 10 shkolla në Komunën e Kamenicës, pa e pranuar mallin fare dhe në kundërshtim me ligjin kanë deponuar mjetet prej 35 mijë e 731 euro e 50 centë operatorit ekonomik “A.R.F” nga Fushë Kosova, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës me qëllim të përfitimit të këtij operatori ekonomik në shumën e larëcekur.

Me këtë, Pëllumb Jahiri, Ismajl Zubaku, Florim Demolli, Brikenë Ramabaja dhe Meriton Ramabaja po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Related Articles