Ndryshimi i Kodit Civil parasheh që të lejoj martesën e personave të së njëjtës gjini, gjë e cila po përcjellët me polemika e kundërshtime.
Aktivisti për të drejtat e personave LGBTI+ në Kosovë, Lend Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se nuk ka shtet që ua ndalon atyre dashurinë.
“Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë”, ka shkruar Lend Mustafa.
Gjatë ditës së sotme Aleanca PËR Ardhmërinë e Kosovës, përmes Shefit të Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri kanë bërë të ditur se nuk e përkrahin ndryshimin e Kodit Civil.
“Grupi parlamentar i AAK-së do të votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, i cili përmban edhe pjesën sipas së cilës do të lejoheshin martesat brenda së të njëjtës gjini. Si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kemi marrë nga elektorati ynë, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm”, ka shkruar Besnik Tahiri.
Ndryshimin e Kodit Civil e ka kundërshtuar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e SDU-së, Duda Balje duke thënë se voton kundër.
“Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk përket me kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”, ka shkruar mes tjerash kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Duda Balje.
Përveç partive politike e deputetëve, kundër lejimit të martesës të së njëjtës gjini kanë dalë edhe katër komunitetet fetare shqiptare të Kosovës, të cilët njëzëri kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë projektligj.
“Bashkësia Islame e Kosovës, Dioqeza e Prizrenit dhe Prishtinës, Kisha Protestane Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës shprehin shqetësimin lidhur me projektligjinj për ndryshimin e Kodit Civil, pjesën e familjes, ku po rezultohet që të dobësohet përkufizimi dhe funksionimi i martesës në Kosovë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre komuniteteve të fetare./Gazeta Enigma/