Aktivistja e shoqërisë civile fiton rastin në gjykatë ndaj Policisë

Aktivistja e shoqërisë civile fiton rastin në gjykatë ndaj Policisë

Aktivistja nga shoqëria civile Luljeta Aliu, e ka fituar rastin në gjykatë ndaj policisë së Kosovës. Njoftimin për fitimin e këtij rasti e ka bërë publike avokatja e Aliut, Rina Kika.

Ky është njoftimi i plotë i Kikës:

Gjykata vërtetoi se Policia e ka diskriminuar në bazë të gjinisë Luljeta Aliu-n kur kishte refuzuar që t’ia regjistrojë denoncimin ndaj bashkëshortit të saj për shkelje të urdhrit mbrojtës të lëshuar nga Gjykata, me arsyetimin se kinse ajo kishte veshur «një fustan tejet të shkurtër dhe një maicë me rripa».

Gjykata Themelore në Prishtinë i anuloi vendimet e Policisë që e shfajësuan zyrtarin policor si të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese.

Megjithatë, fitorja jonë është e pjesshme dhe erdhi shumë vonë: gjashtë vite pasi që ka ndodhur diskriminimi. Përkundër kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, duke e ditur se ky proces është zvarritur për kaq shumë kohë, nuk e vendosi përfundimisht çështjen, por ia la Policisë ta marrë vendimin përfundimtar për shkeljet disiplinore të zyrtarit policor. Përpos kësaj, Gjykata nuk e shqyrtoi fare kërkesën për kompensim të dëmit jo-material. Prandaj sot, ne iu drejtuam Gjykatës së Apelit me ankesë për të kërkuar adresimin e kërkesave të mbetura në padi.

Është për tu admiruar fuqia e Lules për t’i luftuar padrejtësitë!

Lufta e saj është lufta jonë e përbashkët për një shoqëri të barabartë dhe për institucione që i mbrojnë të drejtat themelore të grave.

Për fund, por jo për nga rëndësia, dua ta falënderoj shumë juristen Zana Cena, me të cilën e punuam bashkë këtë padi, për përkushtimin dhe punën e palodhshme!

Related Articles