Një aktor boshnjak i cili u deportua nga Serbia këtë javë ka thënë se u dëbua për shkak të shkrimit të hapur për përvojën e tij në luftën e viteve 1990 dhe se nuk ekziston liria e shprehjes nën regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Fedja Stukan i bëri këto komente në një intervistë për mediumin prestigjioz britanik, The Guardian.
Autoritetet serbe e ndaluan artistin pasi ai mbërriti në një aeroport të Beogradit për të marrë pjesë në një festival letrar dhe e dërguan në një fluturim për në Sarajevë të hënën.
Stukan – një aktivist, autor dhe aktor i njohur për rolin e tij në filmin e Angelina Jolie të vitit 2011 “In the Land of Blood and Honey”, për luftën në Bosnje – i tha Guardian se autoritetet serbe e kishin cilësuar atë si një “rrezik të sigurisë kombëtare”.
Por, arsyeja e vërtetë e dëbimit të tij ishte shkrimi i tij i prerë.
“Kam shkruar një libër shumë të rrezikshëm. Unë lashë heroinën, alkoolin dhe gjithçka, dhe u bëra pilot, baba dhe producent filmash dhe aktor, dhe shkrova një libër për jetën time. Unë kam qenë një snajper në një luftë. Isha në një betejë speciale në një luftë. Kështu që unë i di gjërat, e di se si janë bërë gjatë luftës”, tha ai.
“Unë thashë gjithçka për të gjithë, dhe të gjithë ata nacionalistë thjesht, e dini, më urrejnë aq shumë sepse e dinë që i kam prekur në vendin e duhur”.
Autobiografia e Stukan, “Blank”, përshkruan udhëtimin e tij nga vijat e para të luftës në Bosnje deri në aktivizmin politik dhe bërjen e filmave të Hollivudit. Më shumë se 100,000 njerëz u vranë në luftën e viteve 1992-95, me forcat serbe të akuzuara për kryerjen e krimeve të luftës. Konflikti mbetet një çështje e ndjeshme në rajon.
Të hënën, Stukan, i cili më parë ka marrë pjesë në protestat anti-qeveritare në Beograd, ka vënë në shënjestër gjithashtu udhëheqjen e Serbisë, duke argumentuar se presidenti i vendit lejon disa zëra të opozitës të ruajnë një shtresë të demokracisë.
“Nuk ka një gjë të tillë”, tha ai, kur u pyet për lirinë e fjalës dhe të shprehjes në Serbi.
Organizatat dhe grupet opozitare kanë ngritur prej kohësh shqetësime për gjendjen e demokracisë në Serbi.
Në një raport të fundit, grupi i ekspertëve Freedom House vuri në dukje “kushtet e padrejta zgjedhore dhe parregullsitë e shumta” në zgjedhjet e dhjetorit dhe “një mjedis gjithnjë e më armiqësor për gazetarinë kritike”.
Zyra e Vuçiqit nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Vuçiq e ka përshkruar më parë Stukan si një “kriminel”.
Stukan kujtoi një darkë në Beograd me njerëz nga industria e artit, kur u ngrit tema e presidentit të Serbisë. “Të gjithë thjesht i ngritën telefonat dhe i vunë nën këmbë, në karrige, kështu që mbuluan mikrofonin. Të gjithë e bënë këtë”, tha ai. “Nëse thua diçka kundër Vuçiqit, nuk do t’i marrësh kurrë paratë për projektin e radhës… Kur flasin për Vuçiqin, ata pëshpëritin”.
Aktori tha se ai ishte dëbuar më parë nga Serbia, por besonte – para incidentit të fundjavës – se do të mund të kthehej.
Pen International, një shoqatë shkrimtarësh, tha se ishte “e shqetësuar” për raportet se Stukan ishte dëbuar nga Serbia.
“Unë mendoj se ata [autoritetet] nuk e dinë me të vërtetë se ku duhet të më vendosin dhe çfarë duan të bëjnë me mua”, tha Stukan.
“Ata thjesht nuk duan që unë të jem në Serbi”. /Gazeta Engima