Prokurorët federalë në New York pritet të ngrenë akuza të reja ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, lidhur me torturimin e dyshuar të shtetasve amerikanë të mbajtur në burgjet venezueliane gjatë viteve të fundit.
Sipas disa personave në dijeni të hetimit, çështja lidhet me ndalimin e paligjshëm të më shumë se 10 amerikanëve gjatë kohës kur Maduro drejtonte Venezuelën. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që akuza të ngrihen edhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në keqtrajtimin dhe torturimin e shtetasve amerikanë.
Qeveria amerikane dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë akuzuar regjimin e Maduros se ka përdorur shtetasit amerikanë të ndaluar në Venezuelë si pengje politike.
Disa prej tyre kanë folur publikisht për trajtimin që pretendojnë se kanë përjetuar gjatë burgimit. Matthew Heath dhe Osman Khan, të liruar në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve në tetor 2022, kanë deklaruar në një padi se iu nënshtruan zhytjes së detyruar në ujë, goditjeve elektrike dhe kërcënimeve për sulm seksual. Heath, veteran i Trupave të Marinës amerikane, kishte tentuar edhe vetëvrasjen gjatë kohës së ndalimit.
Në mesin e amerikanëve të ndaluar ishin edhe të ashtuquajturit “CITGO 6”, gjashtë drejtues amerikanë të kompanisë së naftës Citgo, të cilët shkuan në Venezuelë në vitin 2017 dhe u mbajtën atje për gati pesë vjet.
Tomeu Vadell, Alirio Jose Zambrano dhe Jose Luis Zambrano kanë deklaruar në paditë e ngritura kundër punëdhënësit të tyre, Citgo, se ishin torturuar gjatë periudhës së burgimit.
Të gjithë ata ishin mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Kundërzbulimit Ushtarak (DGCIM). Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, kjo strukturë ishte “përgjegjëse për ndalime arbitrare, keqtrajtime dhe tortura ndaj kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të tyre.”
Raporti dokumentonte përdorimin e përsëritur të metodave të torturës në këtë institucion, përfshirë goditjet elektrike, rrahjet, dhunën seksuale, privimin nga uji dhe ushqimi, pozicionet stresuese të trupit dhe ekspozimin ndaj temperaturave ekstreme. Sipas raportit, këto metoda përdoreshin për marrjen e informacionit dhe rrëfimeve, frikësimin dhe ndëshkimin e të ndaluarve.
Maduro dhe Cilia Flores u kapën gjatë një operacioni ushtarak amerikan në janar, në pallatin presidencial në Karakas. Ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për komplot për narkoterrorizëm dhe akuzave të tjera, ndërsa aktualisht mbahen në New York pa mundësi lirimi me kusht.
Flores pritet të paraqitet në gjykatë të enjten, ku avokati i saj do të kërkojë që ajo të kalojë në arrest shtëpie deri në fillimin e gjyqit.
Ndërkohë, avokati i Maduros po kundërshton ligjshmërinë e arrestimit të tij dhe pretendon se ish-presidenti duhet të gëzojë imunitet, pasi veprimet për të cilat akuzohet kanë ndodhur gjatë kohës që ai ishte në detyrë.
Sipas prokurorisë, qeveria e Venezuelës nuk po pretendon imunitet në emër të Maduros.
