Zyra e Presidentes Vjosa Osmani ka dalë me një reagim lidhur me biografinë e Jakup Krasniqit, ish-Presidentit në detyrë.
Në biografinë e Jakup Krasniqit, në faqen zyrtare të Presidencës, thuhej se “u arrestua për krime lufte kundër njerëzimit”.
“Presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës. Poashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike”.
Zyra e Presidentes i ka kërkuar falje Krasniqit dhe familjes së tij për situatën e krijuar.
“Sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj”.
Pas raportimit në media, biografia është përmirësuar.