Festivali i shqiptarëve në Zvicër, Alba Festival, është anuluar për vitin 2023. Siç kanë njoftuar organizatorët, vendimin për anulimin e festivalit për vitin 2023 e morën pasi u pajisen shumë vonë me lejen për organizimin e tij dhe, rrjedhimisht, sipas tyre, rreziku ekonomik është shumë i lartë, raporton Blick.
Alba Festival është festivali më i madh për muzikën shqiptare në Evropë, që mbahet në Zuerich në muajin shtator. Tërheq mbi 20 mijë vizitorë. Por këtë vit nuk do të organizohet.
Leja për organizimin e festivalit të sivjetmë u dha të hënën e kësaj jave. Dhe organizatorët kanë thënë se për vetëm shtatë javë, asnjë festival i madh nuk mund të organizohet.
“Ne kërkuam lejen vitin e kaluar, por e morëm vetëm këtë të hënë. Nuk mund të fillonim planifikimin para kësaj. Kjo vlen edhe për sponsorët. Ne nuk mund t’u thoshim atyre se do të ndodhte në një moment”, ka thënë një nga zëdhënësit për media i Alba Festival.
Pavarësisht natyrës afatshkurtër, organizatorët u vunë në lëvizje për të mos zhgënjyer komunitetin shqiptar. Por të premten, ata njoftuan se “rreziku ekonomik është shumë i madh për një festival 100 për qind të financuar privatisht”.
Të gjitha biletat e shitura do të kthehen.
Edhe në vitin 2021, vetëm pak ditë para se të fillonte, Alba Festival u anulua me vendimin e Ministrisë së Kulturës zvicerane. Asokohe u anulua pasi pretendohej se komuniteti shqiptar nuk ishte vaksinuar në shkallë të lartë. Komisioni i Racizmit në Zvicër e kishte përshkruar tërheqjen e lejes si diskriminuese.
Megjithatë, organizatorët shpresojnë që festivali të mbahet vitin e ardhshëm, siç shkruajnë në Instagram: “Ne besojmë se autoritetet e Zuerichut – siç premtuan – do të gjejnë dhe miratojnë një vendndodhje në qytet me ne këtë vit dhe një datë në verën e 2024-s”.