Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës, kanë dhënë betimin të mërkurën, në mbledhjen inauguruese, të cilën e ka udhëhequr anëtari më i vjetër, Isa Agushi, raporton Gazeta “Enigma”.
Me ta dhënë betimin, Hyseni, i cili po e fillon mandatin e dytë në drejtimin e kësaj komune, tha se më shumë se para aktit formal të betimit, sot jemi para një momenti reflektimi, përgjegjësie dhe shprese.
“Sot, duke qenë para secilit prej jush, unë ndjehem shumë krenar, sepse qyteti ynë ka qytetarë të mirë, të mençur e punëtorë, që besojnë në institucionet e tyre dhe te ardhmja e vendit. Pikërisht mbi këtë bazament moral e shoqëror, ndërtohet edhe vizioni ynë”, tha kryetari Hyseni.
Ai theksoi se Komuna e Gjilanit tashmë ka nisur një tranformim që nuk matet vetëm me kilometër gjatësi apo me metër katror ndërtim, por më shumë matet me mundësi të reja për njerëzit.
