Kryeministri Albin Kurti s’e ka harruar ‘problemin’ e Besnik Bislimit me gjumin. Deri tash nuk e ka përmendur, por sot zgjodhi ta kthejë vëmendjen te një deklaratë e tani zëvendësit të tij në parti e qeveri. A po tallet Kurti me Bislimin?
Besnik Bislimi mori përgjegjësinë e zëvendëskryeministrit në një qeveri që erdhi nga një mbështetje “e frikshme”, siç thoshte ai para zgjedhjeve të fundit parlamentare, kur fliste për rritjen e madhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në dhjetor të vitit 2020, dy muaj para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 kur LVV-ja fitoi 50.28% të votave, Bislimi deklaronte se kishte probleme me gjumin.
“Mbështetja që kemi tash është paska e frikshme, është aq e madhe njerëzit kanë pritje të madhe. Ka një javë që kam probleme me gjumë se nuk e di si do t’i përgjigjemi kësaj pritshmërie. Është hera e parë që Besnik Bislmi thotë ne do të kemi kaq deputetë. Mbi 55 po”, shprehej Bislimi.
Për këtë deklaratë, Bislimin e tallën jo pak në interenet.
Kur ato fjalë të Bislimit sikur ishin harruar, kryeministri Albin Kurti kujtoi ‘problemin’ e zëvendësit të tij me gjumin.
Duke folur për udhërrëfyesin me Serbinë për zbatimin e marrëveshjes për faturimin e rrymës në veri të vendit, Kurti tha se Bislimi bie në gjumë dhe zgjohet në mëngjes me preokupimin e regjistrit të konsumatorëve. Më tej kujtoi deklaratën e Bislimit, duke ia shtuar një “nëse fle” kësaj që po thoshte në konferencën për media.
“Ju e dini që Zyra e Rregullatorit për Energji i ka pasë dy javë që ta bëjë licencimin. E ka bërë për dy ditë, mirëpo nga ana tjetër, nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër 1 me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im – nëse fle – Besnik Bislimi, sepse sot nuk ka gjë më të rëndësishme për të, do të thosha edhe për shtetin tonë sesa të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar, dhe në këtë mënyrë, stabilitetin energjetik në Kosovë”, tha Kurti.