Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani që u transferua te Rapid Bukuresht në afatin kalimtar të verës nga Ballkani, ka treguar formë shumë të mirë me katër gola në dy ndeshjet dhe mediat rumune i frikësohen shumë.
Rrahmani ka dhënë një intervistë ekskluzive për mediumin rumun Digi Sport ku ka thënë se dëshiron të shënojë gol ndaj kolegut të tij te Rapid, portierit Horatiu Moldovan.
“Përballje me portierin Horatiu Moldovan? Është një lojë speciale, mezi pres të luaj kundër tij dhe pse jo t’i shënoj. Kam folur pak me të, por nesër është ndeshja jonë dhe shpresojmë që të marrim 3 pikët, është shumë e rëndësishme për ne”.
“Rezultati me Zvicrën ishte shumë i mirë për ne, moralisht. Mendoj se jemi kthyer në luftë për kualifikim dhe dëshirojmë fitore nesër. Nuk e di nëse Rumania është favorite, ne po luajmë futboll shumë të mirë tani”.
“Nesër do të shohim se kush është favorit për vendin e dytë. Mendoj se atmosfera do të jetë shumë e mirë për ne, pasi me një stadium bosh është si miqësore, por me një të mbushur më pëlqen të luaj”.
“Në Rumani ka fansa shumë të mirë. Nuk kam mësuar ende asnjë fjalë në rumanisht, pasi kam qenë këtu vetëm për një muaj. Por shpresoj të mësoj pak” , ka thënë Rrahmani për Digi Sport.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës zhvillohet të martën nga ora 20:45.
Rumania është e dyta me 9 pikë deri më tani nga pesë ndeshje, ndërsa Kosova ka 4 pikë në Grupin I.