Kandidati nga Gjilani për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, ka falënderuar qytetarët në Gjilan për pjesëmarrje në tubimin e sotëm të kësaj partie tek Palestra e Sportit “Bashkim Selishta”, sallë kjo që u mbush përplotë simpatizantë.
“Faleminderit 500 mijë herë që e bëtë pulsin të rrahë 118 me 64 në Gjilan”, shkroi Aliu në një postim në Facebook, duke shpërndarë edhe një fotografi nga takimet që zhvilloi gjatë tubimit.
Aliu, i cili ishte deputet edhe në legjislaturën që tashmë ka përfunduar punimet, bart numrin 64, ndërsa partia LVV numrin 118.
I pranishëm gjatë tubimit ishte edhe kryeminsitri Albin Kurti, i cili premtoi përfundim të punimeve në Stadiumin e Qytetit, spital të ri e hapje të autostradës Gjilan-Prishtinë. /Gazeta Enigma