Kosova dje ka bërë të ditur se i është bashkuar sanksioneve të reja të Bashkimit Europian dhe SHBA-të kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.
Këtë veprim të Qeverisë së Kosovës e ka lavdëruar ambasada e SHBA-së në Kosovë.
“SHBA lavdëron Kosovën për solidaritetin e saj ndaj Ukrainës – duke vendosur sanksionet, duke oftuar ndihmë humanitare për refugjatët dhe gazetarët, si dhe për dënimin e veprimeve të pajusftifikuara, të paprovokuara dhe vdekjeprurëse të Rusisë“, ka shkruar ambasada në Twitter.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte njoftuar se sanksionet kanë të bëjnë me ngrirjen e aseteve në Kosovë të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim të qasjes dhe operimit në treg, ndalim të udhëtimit dhe fondeve. Me sanksionet e reja, Kosova po ashtu ndalon çdo ndërmarrje të transportit rrugor rus apo bjellorus, me disa përjashtime. Kosova, po ashtu, ka ndaluar importin e qymyrit nga Rusia apo nga shtete që e blejnë nga Rusia.