Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u është drejtuar me një mesazh urimi ytetarëve, miqve dhe partnerëve në vend, duke vënë theksin në bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve.
Në urimin e saj, Ambasada shprehu shpresën që viti i ardhshëm të sjellë zhvillim, paqe dhe mirëqenie për të gjithë.
“Urojmë që viti që vjen të sjellë paqe, prosperitet dhe progres të përbashkët. Gëzuar Vitin e Ri nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë”, thuhet në mesazhin e publikuar.
Përmes një video-mesazhi të realizuar nga stafi i Ambasadës, u theksua bashkëpunimi i ngushtë i zhvilluar gjatë vitit që po mbyllet, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sektorit privat në Kosovë. Në këtë kontekst, u përmend edhe roli i kompanive amerikane që kanë investuar në vend.
Shefi i njësitit ekonomik në Ambasadën e SHBA-së, Micah Savidge, tha se këto partneritete kanë kontribuar drejtpërdrejt në zgjerimin e mundësive ekonomike.
“Bashkëpunimi ynë ka ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat të Kosovës dhe në zgjerimin e mundësive. Këto partneritete janë një kujtesë se kur bizneset në Kosovë punojnë me Shtetet e Bashkuara, ato zgjedhin inovacionin, cilësinë dhe besueshmërinë”, u shpreh ai, duke shtuar se mbështetja amerikane do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërkohë, drejtori për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Kevin Miles, vuri në pah progresin e arritur në fushën e sigurisë, duke përmendur bashkëpunimin me institucionet kosovare.
“Ne ndërmorëm hapa domethënës për t’i bërë të dy kombet tona më të sigurta, duke punuar krah për krah me institucionet e sigurisë së Kosovës”, tha Miles, duke përmendur operacionet e ekstradimit, sigurinë kibernetike dhe luftimin e krimit të organizuar si fusha kyçe të bashkëpunimit.
