Ambasada e Kosovës në Bruksel ka vendosur lule dhe ka ndezur qirinj në nderim të policit të vrarë në detyrë të dielën në Banjskë të Zveçanit, Afrim Bunjaku.
Ambasadori Agron Bajrami nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se bashkëatdhetarët janë të gatshëm për të ofruar mbështetje për vendin.
“Sot, në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, përfaqësues nga komuniteti ynë në Belgjikë, kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj në nderim të heroit Afrim Bunjaku, rreshterit policor të rënë në detyrë, i vrarë nga terroristët e mbështetur dhe organizuar nga Serbia. Bashkatdhetarët tanë janë gjithmonë të gatshëm dhe unik për të ofruar mbështetje për Republikën e Kosovës, demokratike, të pavarur dhe evropiane”, ka shkruar ai krahas fotografive të publikuara.