Ambasada gjermane në Prishtinë tha se “nuk kemi bojkotuar” pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenca dhe Kryeministria për Ditën e Çlirimit më 12 qershor.
Më 12 qershor ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca dhe Britania e Madhe) nuk janë parë në ngjarjen e organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, për shënimin e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
“Ambasada gjermane ka pranuar ftesë për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe zyrtarisht në të është përfaqësuar nga zëvendëskreu i misionit, siç ka ndodhur në shumë raste”, thanë për Rel nga Ambasada gjermane në Prishtinë.
Megjithatë, kjo ambasadë nuk pranoi të japë detaje se pse ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, nuk mori pjesë në pritjen zyrtare.
Kjo mosmarrje pjesë e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në këtë ngjarje, vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Qeverisë së Kosovës të qetësojë situatën në veriun e banuar me shumicë serbe. Deri më tani, ekzekutivi në Kosovë nuk i ka plotësuar kërkesat e partnerëve të tij ndërkombëtarë.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë paraqitur tri kërkesa kryeministrit Kurti: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Kurti më 13 qershor njoftoi se i ka prezantuar komunitetit ndërkombëtar një plan me pesë pika për uljen e tensioneve:
Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.
Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës.
Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë akterët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.
Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.