Me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, u vu në theks rëndësia dhe të arriturat e këtyre të fundit në shërbimin e qytetarëve të Kosovës, për të krijuar siguri dhe rend. Gjithashtu, u premtua përkrahje e vazhdueshme nga përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, që gratë police të Kosovës të shtohen në numër dhe të arrijnë sa më shumë rezultate.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier tha se besojnë se gratë janë thelbësore për suksesin e misionit të Policisë së Kosovës, për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer qytetarëve të Kosovës.
Ai shtoi se SHBA-ja e ka prioritet ndihmën ndaj sektorëve të drejtësisë penale të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë organizatë, SHGPK, që nga fillimi i saj, sepse ne besojmë se gratë janë thelbësore për suksesin e misionit të Policisë së Kosovës për të mbrojtur dhe për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për t’u përballur me krimin transnacional, drogën ilegale, dhe jostabilitetin. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë prioritet ndihmën ndaj sektorëve të drejtësisë penale të Kosovës, përfshirë policinë. Pra, autoritetet mund të mbrojnë në mënyrë efektive sundimin e ligjit dhe të ofrojnë drejtësi. Ne besojmë se përfshirja e grave në këtë përpjekje, dhe sigurimi i pjesëmarrjes së tyre kuptimplotë si praktikues të drejtësisë penale është e domosdoshme, është thelbësore”, tha Hovenier.
Ambasadori Hovenier potencoi se globalisht nuk ‘po ecim mirë’, sa i përket përfshirjes së grave në polici dhe organe të tjera të drejtësisë. Ai shtoi se pret nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë përpjekjet për të rritur shifrën e grave pjesëmarrëse në polici.
“Duhet të jem i sinqertë, ne globalisht, nuk po ecim shumë mirë për momentin, rreth 15% e policëve në mbarë botën janë femra, rreth 27% e gjyqtarëve në mbarë botën janë femra. Më duhet të besoj se përbërja, përbërja etike e popullsisë globale nuk përputhet me ato shifra. Dhe situata në Kosovë pasqyron edhe statistikat, femrat aktualisht përbëjnë vetëm rreth 14% të forcës policore të Kosovës, por ndoshta nuk kam nevojë t’iu them këtë, mendoj se ju e dini mirë. Pra, ne shikojmë nga Qeveria e Kosovës, ne shikojmë nga autoritetet e Kosovës, kam shikuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe ekipi i tij, që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të rritur këto shifra sepse duke bërë kështu ju do të përmirësoni sigurinë dhe drejtësinë për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dhe dua të ritheksoj se Shtetet e Bashkuara janë shumë, shumë të gatshme për të ndihmuar”, potencoi Hovenier.
Ndërkaq, përfaqësuesi i OSBE-së në Kosovë, Edëard Anderson i përgëzoi gratë police për punën e tyre, derisa tha se shkaku i sigurisë që ofrojnë ato, qytetarët mund të flenë dhe të ecin të qetë. Ai shtoi se do të vazhdojnë me mbështetje ndaj Policisë së Kosovës.
“Është një gëzim më i madh si oficer në pension të vish këtu dhe të vlerësosh vërtet atë që ka vlerë këto 10 vjet dhe atë që ke bërë. Sepse në fund të fundit policia ka një ndikim të madh në jetën time dhe në Kosovë, ju mbroni fëmijët e mi dhe unë fle shumë i qetë dhe i sigurte gjatë natës sepse ne e dimë që ju jeni atje, qofshin burra apo gra, ne e dimë që jeni atje. Djemtë e mi ecin shumë lirshëm nëpër Kosovë falë të gjithë juve……Por unë kam mundësinë të eci dhe t’i marr (fëmijët e mi) në të gjithë Kosovën falë të gjithë juve dhe asaj që bën shoqata. Pra, bravo për ju, bravo për atë që bëni, ju falënderoj të gjithëve dhe ne jemi të gatshëm t’ju mbështesim ju dhe drejtorin e përgjithshëm gjatë gjithë kohës”, potencoi Anderson.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha vlerësoi lartë punën e grave police, derisa shtoi se ato janë shembull i vendeve në rajon sa i përket rezultateve të arritura.
Hoxha potencoi se mburren me punën e policeve të Kosovës, derisa përmendi edhe sfidat e vazhdueshme që kanë pasur.
“Ju keni bërë shumë si brenda policisë, po ashtu edhe jashtë saj…Po, ashtu jeni shëmbëlltyrë dhe shembull edhe në rajon, keni dhënë një nga prijetarët e formimit të punës së angazhimit të rezultateve në këtë aspekt. ajo çfarë mund të them, unë po ashtu ne mburremi me rezultatet që i kemi pasur nga femrat police që i kemi pasur në policinë e Kosovës…Femra në polici është një vlerë ë shtuar, përveç që është vlerë e shtuar duhet të merr edhe hakun e saj…Në Policinë e Kosovës sipas statistikave që i kemi ne jemi diku afro 14 për qind të përfaqësuara femra brenda policisë… mendoj se është sukses. A është mjaftë, nuk është mjaft, synimi jonë është më i lartë”, tha Hoxha.