Ambasadori amerikan: SHBA-të planifikojnë pagesën e parë për miliardat që i detyrohen OKB-së

Ambasadori amerikan: SHBA-të planifikojnë pagesën e parë për miliardat që i detyrohen OKB-së

Shtetet e Bashkuara do të kryejnë brenda pak javësh një pagesë fillestare për miliardat e dollarëve që i detyrohen Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deklaroi për Reuters, ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, duke theksuar njëkohësisht se organizata duhet të vazhdojë me reformat.

Komentet e Waltz vijnë dy javë pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ngriti alarmin për financat e organizatës dhe paralajmëroi se OKB-ja, me 193 shtete anëtare, rrezikon një “kolaps financiar të afërt” për shkak të pagesave të papaguara, pjesa më e madhe e të cilave i detyrohen nga Uashingtoni.

“Do të shihni patjetër një këst fillestar shumë shpejt”, tha Waltz në një intervistë telefonike. “Do të jetë një parapagesë e rëndësishme për kuotat tona vjetore… Shuma përfundimtare ende nuk është vendosur, por bëhet fjalë për javë, jo muaj”.

Zyrtarë të OKB-së thonë se më shumë se 95% e detyrimeve të papaguara ndaj buxhetit të rregullt të OKB-së i përkasin SHBA-ve, që arrijnë në 2.19 miliardë dollarë deri në fillim të shkurtit. SHBA-të i detyrohen gjithashtu edhe 2.4 miliardë dollarë të tjera për misionet aktuale dhe të kaluara të paqeruajtjes, si dhe 43.6 milionë dollarë për gjykatat e OKB-së.

Më 30 dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një buxhet prej 3.45 miliardë dollarësh për vitin 2026, pas javësh negociatash. Ky buxhet mbulon shpenzimet për funksionimin e zyrave të OKB-së në mbarë botën, përfshirë selinë në Nju Jork, pagat e stafit, takimet, si dhe punën për zhvillimin dhe të drejtat e njeriut.

Kriza e financimit të OKB-së vjen në një kohë kur SHBA-të, nën presidencën e Donald Trump-it, është tërhequr nga multilateralizmi në disa drejtime. Detyrimet e papaguara amerikane ndaj OKB-së janë rritur ndjeshëm gjatë presidencës së tij, megjithëse historia e vonesave në pagesa nga ana e SHBA-ve shtrihet prej dekadash.

Zyrtarët e OKB-së thonë se SHBA-të nuk kanë paguar buxhetin e rregullt vitin e kaluar, duke krijuar një detyrim prej 827 milionë dollarësh, si dhe 767 milionë dollarë të tjera për vitin 2026.

Projektligji i shpenzimeve në Kongres

Të martën, Trump nënshkroi në ligj një projektligj shpenzimesh që përfshin 3.1 miliardë dollarë për kuotat e SHBA-ve ndaj OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

I pyetur nëse pagesa fillestare do të shkojë për detyrimet e vitit të kaluar, ato të vitit 2026 apo për të dyja, Waltz u përgjigj: “Në përgjithësi, për shlyerjen e borxheve të prapambetura dhe gjithashtu si njohje e disa reformave që kemi parë”.

Nën Trump-in, përveç refuzimit të pagesave të detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes, SHBA-të kanë shkurtuar ndjeshëm edhe financimin vullnetar për agjencitë e OKB-së me buxhete të veçanta dhe ka nisur procedura për t’u larguar nga disa organizata të OKB-së, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Waltz tha se SHBA-të e mbështesin fuqishëm nismën e reformave UN80 të Guterres-it dhe e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm, por jo të mjaftueshëm.

“Nuk shkon mjaftueshëm larg, por është një hap i rëndësishëm. Do të doja që sekretari i përgjithshëm ta kishte ndërmarrë në vitin e parë ose të dytë të mandatit të tij, jo në vitin e nëntë,” tha ai.

“Ne jemi shumë të fokusuar në kthimin te bazat, te paqja dhe siguria. Dhe presidenti me të drejtë po pyet: Si mund ta kthejmë OKB-në që të realizojë potencialin e saj të plotë?” shtoi Waltz, duke theksuar se priten reforma të tjera.

“Dashuri e ashpër” ndaj OKB-së

“Kjo është një formë dashurie e ashpër. Modeli aktual është i paqëndrueshëm për shumë vende dhe ne po përpiqemi ta bëjmë OKB-në më funksionale, më të fokusuar dhe të mos përpiqet të bëjë gjithçka për të gjithë,” tha Waltz.

Ai theksoi se reduktimi i mbivendosjeve është një synim kyç, duke përmendur se ekzistojnë shtatë agjenci të OKB-së që kanë ndryshimet klimatike si mision kryesor.

“Pavarësisht debatit për klimën, nuk na duhen shtatë të tilla,” tha ai, duke shtuar se SHBA-të mbështet edhe konsolidimin e logjistikës dhe shërbimeve administrative në agjencitë humanitare.

Sipas Waltz, burokracia e OKB-së është rritur tepër dhe ka nevojë për më shumë efikasitet dhe efektivitet.

Guterres nisi reformat UN80 vitin e kaluar, me synimin për të ulur kostot dhe për të përmirësuar efikasitetin. Buxheti i miratuar për vitin 2026 është rreth 200 milionë dollarë më i lartë se propozimi i tij, por rreth 7% më i ulët se buxheti i miratuar për vitin 2025.

Muajin e kaluar, Guterres paralajmëroi se OKB-së mund t’i mbarojnë fondet deri në korrik dhe e cilësoi “kafkiane” kërkesën që organizata të kthejë çdo vit qindra miliona dollarë kuota të papërdorura shteteve anëtare, edhe kur paratë nuk janë paguar kurrë.

Waltz tha se shtetet anëtare duhet ta ndryshojnë këtë rregull. Ai shtoi se detyrimet e prapambetura të SHBA-ve për paqeruajtjen lidhen pjesërisht me një “mospërputhje ligjore” mes vlerësimeve të OKB-së dhe asaj që lejon ligji amerikan të paguhet, duke shtuar se kjo çështje do të trajtohet në negociatat e ardhshme për kuotat, që pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm.

Related Articles