Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas mikpritjes jo të mirë të Presidentes së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, e cila dje e pati të pamundur mbajtjen e një konference për media, shkaku i protestës së veteranëve të OVL-UÇK-së, në vendin ku pritej të mbahet konferenca.
Hargreaves tha se e njohin ndjeshmërinë e mandatit të gjykatës, por aftësia e saj për të komunikuar me popullin e Kosovës nuk duhet të pengohet.
“Me themelimin e kësaj gjykate në vitin 2016, Kosova demonstroi angazhimin e saj për të përcaktuar të vërtetën dhe për të ofruar drejtësi për të gjitha viktimat. Ashtu siç Mbretëria e Bashkuar mbështeti Kosovën në vitin 1999, ne vazhdojmë të mbështesim sundimin e ligjit në Kosovë dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara si një pjesë integrale të sistemit të saj ligjor”, shkroi ambasadori në një postim.
“E vërteta dhe drejtësia duhet të triumfojnë”, shtoi tutje Hargreaves. /Gazeta Enigma