Ambasadori britanik në Këshillin e Sigurimit bën thirrje për njohjen e Kosovës, kërkon nga Serbia llogari për Banjskën

Ambasadori britanik në Këshillin e Sigurimit bën thirrje për njohjen e Kosovës, kërkon nga Serbia llogari për Banjskën

Në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar ka riafirmuar përkrahjen e saj për Kosovën dhe ka theksuar se ka qenë një mik afatgjatë i shtetit të Kosovës. Përfaqësuesi britanik në Këshillin e Sigurimit ka theksuar se angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike është bërë i qartë gjatë vizitës së fundit të Sekretarit të Jashtëm të këtij shteti.

Përfaqësuesi britanik ka përgëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia dhe ka inkurajuar të gjitha shtetet që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ta bëjnë sa më shpejt.

“Inkurajojmë të gjithë ata që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë sa më shpejt”, tha ai.

Ai ka përmendur gjithashtu përpjekjet e suksesshme të Kosovës për të rekrutuar serbë në policinë e Kosovës, duke theksuar se është keqardhje që gjyqtarët dhe prokurorët nga komunitetet joshumicë nuk janë rikthyer ende në institucionet e Kosovës.

Po ashtu, ai ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, duke zbatuar marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

“Mirëpresim pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës në zgjedhjet komunale dhe inkurajojmë të dyja palët të angazhohen konstruktivisht në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura”, theksoi ai.

Përfaqësuesi britanik gjithashtu kërkoi nga Serbia që të sjellë para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it, atij në Banjskë dhe sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Kërkojmë që Serbia të bashkëpunojë për të identifikuar dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës për këto sulme”, tha ai.

Në një kërkesë të mëtejshme, ai kërkoi një rishikim të rolit të UNMIK-ut për të siguruar që mbështetja për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë të përputhet me kushtet e vitit 2025.

Related Articles