Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës që të hapë pikëkalimin kufitar në Merdarë për mallrat nga Serbia.
“Ky është vendim i rëndësishëm që mundëson përparim në integrimin rajonal (Procesin e Berlinit) dhe drejt integrimit Evropian. Përpjekja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, shkroi Guerot në X.
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.
I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë në fillim të shtatorit se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, dhe se, për shkak të saj, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit.