Ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot tha se presin të shohin saktësisht se si u organizua sulmi në veri, derisa theksoi se ajo që është temë qendrore në këtë fazë është dialogu.
Masat e paralajmëruara të BE-së në raport me Serbinë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ende nuk shihen në horizont.
Guerrot, tha se para vendosjes së pasojave të mundshme, fillimisht po priten hetimet se si u organizua ky sulm.
“Tani duhet të shikojmë saktësisht se si u organizua ky sulm. Tashmë ka diskutime mes partnerëve përkatës dhe këtu nuk mund të them më shumë për pasojat e mundshme për aktorët e këtij sulmi”, tha për RTK-në, Oliver Guerrot.
Sipas diplomatit francez, ajo që është temë qendrore në këtë fazë është dialogu.
Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të vazhdojë.
Sipas tij kjo është e vetmja rrugë përpara.
“Rruga përpara është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për këtë ne po punojmë shumë”, shtoi ai.
Guerrot tha se në kuadër të procesit të dialogut, fokusi duhet të jetë te marrëveshja dhe zbatimi i saj.