Ambasadori gjerman në Shqipëri: Këto zgjedhje janë provë solide për integrimin

Ambasadori gjerman në Shqipëri: Këto zgjedhje janë provë solide për integrimin

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, ka komentuar mbi ecurinë e procesit zgjedhor që ka nisur këtë të diel në vend. Ai është shprehur se, nga ajo që ka konstatuar personalisht si vëzhgues në terren, procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe normale.

“Isha në një shkollë në Durrës ku po votohet në mënyrë elektronike. Ky është një sistem që mund të kërkojë pak kohë për t’u mësuar me të, por sjell rezultate më të sakta dhe të drejta,” u shpreh ambasadori Bergner për Euronews.

Ai theksoi rëndësinë që këto zgjedhje kanë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke i cilësuar si një test të rëndësishëm për standardet demokratike dhe përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Zgjedhjet transparente do të jenë një provë solide për rrugën e integrimit. Edhe vëzhguesit e huaj, mes të cilëve ka edhe shumë gjermanë, janë të interesuar që transparenca e procesit të jetë e lartë,” tha ai, duke shtuar se nuk do të bëjë komente përfundimtare pa u mbyllur procesi.

Ambasadori u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje të lartë në votime.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë ditë për të hedhur votën e tyre. Pjesëmarrja që kemi vërejtur deri tani ka qenë e lartë dhe mendoj se çdo shqiptar do të përfitojë nga këto zgjedhje,” tha ai.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e votimit si një akt përgjegjësie për të ardhmen: “Edhe nëse jeni të pakënaqur me alternativat aktuale, duhet të votoni, është një mënyrë për të mos hedhur poshtë shansin për vendin, për të ardhmen e familjes dhe fëmijëve tuaj.”

Related Articles