Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se Aushvici përfaqëson vrasjen e pamëshirshme të mijëra e qindra mijëra personave, kryesisht hebrenj, të persekutuar dhe të vrarë sistematikisht nga nazistët.
Ai ka kujtuar vizitën e tij personale në këtë kamp përqendrimi, të cilin e kishte vizituar për herë të parë në moshën 17-vjeçare si student.
“Një pamje që është skalitur në memorien time janë binarët e hekurudhës që përfundojnë aty, sepse nuk ka kthim mbrapa për ata që nisen drejt atij kampi”, ka deklaruar Rudolph.
Tutje, ambasadori ka theksuar se për Gjermaninë përkujtimi i Aushvicit është një akt përgjegjësie historike.
“Nuk do t’i harrojmë kurrë këto krime që janë kryer nga gjermanët, në emër të gjermanëve, as vuajtjen e pamatshme që u shkaktua. Po ashtu, nuk do të harrojmë kurrë se çfarë është në gjendje të bëjë njerëzimi kur ideologjia e epërsisë racore shndërrohet në politikë zyrtare shtetërore, duke mundësuar vrasjen industriale të një grupi të shënjestruar të njerëzimit”, ka thënë ai./RTK
