Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur këtë të hënë në takim ambasadorin e ri të SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Ambasadori amerikan ka dorëzuar kopjet kredenciale tek ministrja, ndërsa ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin mbështetës të SHBA-ve ndaj Kosovës.
Ministrja Gërvalla i ka uruar ambasadorit Hovenier detyrën e re, teksa i ka shprehur mirëseardhje në Kosovë.
Komunikata e plotë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Disaporës:
Me respekt,
Divizioni për Komunikim Publik / MPJD
Ministrja Gërvalla pret në takim ambasadorin e ri të ShBA-ve Jeffrey Hovenier
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeffrey Hovenier, i cili i dorëzoi kopjet kredenciale tek ministrja.
Ministrja Gërvalla uroi ambasadorin Hovenier për detyrën e re dhe i shprehu mirëseardhje në Kosovë, në shtetin më pro amerikan, qeveria dhe qytetarët e të cilit e kanë prioritet kultivimin dhe avancimin e bashkëpunimit, partneritetit dhe miqësisë së fortë me ShBA-të.
Në një atmosferë tejet miqësore bashkëbiseduesit kanë biseduar rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë, politikës së jashtme dhe raporteve bilaterale mes Kosovës dhe ShBA-ve.
Nga ana e tij ambasadori Hovenier ritheksoi qëndrimin mbështetës të ShBA-ve ndaj Kosovës./Gazeta Enigma/