Ambasadori italian: Çdo tendencë për të parandaluar një rezultat pozitiv në Ohër mund ta dëmtojë plotësisht procesin e dialogut

Ambasadori italian: Çdo tendencë për të parandaluar një rezultat pozitiv në Ohër mund ta dëmtojë plotësisht procesin e dialogut

Italia pret që nesër në takimin e Ohrit të ketë rezultate pozitive në mes Kosovës e Serbisë.



Ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, në një përgjigje për Klankosova.tv, tha se s’duan të konsiderojnë një skenar negativ për nesër.

Sipas De Riut, nga Kosova e Serbia s’kanë marrë reagime negative gjatë fushatës intensive për sa i përket përfitimeve në rast të një marrëveshjeje të mundshme mes dy palëve.

“Në këta muaj, ne kemi punuar shumë për të sjellë një rezultat pozitiv që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë që Kosova, Serbia dhe pjesa tjetër e rajonit të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euroatlantik”, është shprehur De Riu.

Për sa i përket pasojave të mundshme në rast se njëra palë refuzon të nënshkruajë marrëveshjen nesër, De Riu tha se “nuk do të jetë e drejtë të ngrihet publikisht çështja e pasojave negative” në prag të takimit të nivelit të lartë në Ohër, teksa shtoi se “ka ende kohë për të menduar për skenarin më të keq”

“Ne duam të fokusohemi tani në mundësitë e mëdha për Kosovën që rrjedhin nga një marrëveshje për aneksin e zbatimit. Ka ende kohë për të menduar për skenarin më të keq që nuk kemi ndërmend ta shqyrtojmë në këtë fazë.

“Ne kemi qenë të qartë gjatë takimeve tona me liderët politikë se si çdo tendencë për të parandaluar një rezultat pozitiv të takimit mund të dëmtojë plotësisht procesin e dialogut të sponsorizuar nga BE, i cili qëndron si e vetmja mënyrë për të arritur integrimin evropian”, është shprehur De Riu, njofton Klankosova.tv.

E, përpjekjet e palës kosovare, De Riu i quajti si qasje konstruktive në dialog, ku tha se deklaratat i kanë marrë shumë seriozisht.

“Italia mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe çdo veprim të saj që mund të çojë në një përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ne do të vazhdojmë në përputhje me rrethanat. Siç e kam thënë tashmë, ne i konsiderojmë shumë seriozisht deklaratat e bëra këto ditë nga lidershipi kosovar për përkushtimin dhe qasjen konstruktive në dialog, duke kuptuar rëndësinë e takimit të Ohrit”.

Related Articles