Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka kujtuar artisten e ndjerë Nexhmie Pagarusha në ditëlindjen e 88 të saj.
Minxhozi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan Pagarusha ka lënë si dhuratë të çmuar zërin e saj të mrekullueshëm.
“Do të donim të vinim sot në shtëpinë tënde me një tufë lule të të uronim: Edhe 100 vjet zonja Pagarusha!
Kishim shumë dëshirë Të të kishim sa më gjatë midis nesh. Por ti u largove duke na lënë shumë trishtim, por njëkohësisht na le si dhuratë të çmuar zërin tënd të mrekullueshëm, na le shpirtin e madh të një artisteje të pavdekshme!”, shkruan Minxhozi.
Ndryshe, artistja Nexhmie Pagarusha u lind më 7 maj 1933.
Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.
Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj.
“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj që ruan elemente folklorik të këngës.
Nexhmie Pagarusha ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa skena të filmave “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.
Nga viti 1984 vendos të përmbyllë karrierën si këngëtare. Më 2012, u dekorua me “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë.
Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë më 7 shkurt 2020.