Procesin zgjedhor në Shqipëri është duke e përcjellë nga afër edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, i cili tha se votimi elektronik dhe numërimi elektronik i votës që është duke aplikuar Shqipëria për herë të parë në këto zgjedhje është shembull i mirë edhe për Kosovën e cila në të ardhmen mund të aplikojë këtë sistem.
Në Shqipëri votimi elektronik është një pilot projekt i cili po aplikohet vetëm në një zonë zgjedhore kurse në të gjitha zonat e tjera të votimit në vend do të zbatohet votimi dhe numërimi manual.
“Mjaftë interesant për neve ndoshta do ta kishim model të mirë edhe për neve në Kosovë që të jetë një votim që do të jap mundësi pa abuzime dhe të jetë një mundësi e numërimit më të lehtë të gjithë atyre që kanë votuar dhe votojnë për kandidatët e preferuar të vetë një zgjedhje e tillë do ishte e mirë edhe tek ne”, theksoi Hasani.
Hasani tha se diplomatët e Kosovës janë duke e përcjell në gjithë Shqipërinë procesin e votimit derisa uron që qytetarët sot duhet të votojnë dhe të zgjedhin njerëzit që ata besojnë. “I kemi përcjell diplomatët tanë nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë që t’i shohim se si është gjendja dhe si votohet dhe të japim një mesazh paqe, stabiliteti, uniteti dhe zgjedhjeve demokratike” ka thënë ai. Kosovapress