“Zgjedhjet urgjente, kthimi i policëve serbë, gjyqtarëve, Asociacioni, lirimi i të burgosurve politikë, zhbllokimi i importit të mallrave serbe” – ky është qëndrimi zyrtar i Serbisë për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, të cilin e ka prezantuar ambasadori serb në Mal të Zi, Nebojsha Rodiq.
Me këtë rast, Rodiqi ka dashur të njoftojë kryetarin e Kuvendit, si person i parë i institucionit më të rëndësishëm në Mal të Zi, me qëndrimin zyrtar të Republikës së Serbisë, i cili pasqyrohet në disa pika për “zgjidhjen e problemit ekzistues jashtëzakonisht të vështirë, krizës në Kosovë”, raportojnë mediat serbe.
Pikat janë:
“Që sa më shpejt të organizohen zgjedhjet e lira në komunat në veri të Kosovës, ku pushtetin tash e ushtrojnë individë që nuk kanë bazë në vullnetin e qytetarëve të këtyre komunave.
– Kthimi urgjent i 700 policëve të nacionalitetit serb në shërbim të “institucioneve të përkohshme” që duhet të rikthejnë sigurinë dhe qetësinë në komunat në veri, sepse atje “këto ditë po kërcënohen të drejtat elementare të njeriut”.
– Zgjidhja e problemit që u ngrit në fushën e drejtësisë për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin gjyqësor.
– Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
– Lirimi i të gjithë personave të burgosur për arsye politike.
– Kërkimi i zgjidhjes së bllokadës së importit të produkteve nga Serbia në Kosovës.