Ambasadori suedez: Do të doja hetime më të shpejta për sulmin në Banjskë

Ambasadori suedez: Do të doja hetime më të shpejta për sulmin në Banjskë

Ambasadori i Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund, është shprehur se beson që ka presion të fuqishëm mbi Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Westerlund ka thënë se sulmuesit duhet të sillen para drejtësisë.

Më tej, diplomati suedez i ka quajtur brengosëse edhe incidentin në Zveçan dhe kidnapimin e tre policëve kosovarë.

“Kemi dënuar këtë, kemi thënë se sulmuesit duhet të sillën para drejtësisë në Serbi. Liderët evropian insistuan në këtë, edhe një herë dje. Besoj që ka një presion të fuqishëm mbi Serbinë në këtë çështje në veçanti. E kuptoj trendin që Qeveria e Kosovës e ka, e kemi incidentin në Zveçan më 29 maj, tre oficerët policorë të kidnapuar më 14 qershor, dhe pastaj e kemi Banjskën më 24 shtator dhe është një trend brengosës. Por, është dënuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.

Ambasadori i Suedisë ka thënë se do të dëshironte që hetimet lidhur me Banjskën të ishin më të shpejta dhe kur të përfundojnë ato, ai tha se do të i marrin hapat e duhur.

“Hetimet po vazhdojnë, do të doja të ishin më të shpejta se që kanë qenë deri tash. Akoma po presim për hetimin e plotë të kësaj. Dhe kur ta kemi këtë do të bëjmë vlerësimin tonë dhe do të i marrim hapat e duhur”, ka thënë ai në tëvë1.

Kujtojmë se më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, si pasojë e një përleshjeje të armatosur me një grup terrorist serb, ka mbetur i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari policor, Alban Rashiti.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Përgjegjësinë e ka marrë përsipër ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Policia gjeti sasi të madhe të armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit, të cilat u publikuan më pas bashkë me disa dokumentacione nga Policia e Kosovës, Kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Related Articles