Ambasadori Whitaker i kërkon Serbisë që të rreshtohet me Perëndimin

Ambasadori Whitaker i kërkon Serbisë që të rreshtohet me Perëndimin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, ka porositur se Serbia duhet të përmbahet nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurt, duke theksuar se e ardhmja strategjike e Serbisë, duhet të jetë “e rreshtuar me Perëndimin”.

“Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur”, shkroi ai në X më 23 prill, duke theksuar se këtë mesazh ia përcolli presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Beograd të zhvilluar një ditë më parë.

Serbia, as katër vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, nuk i është bashkuar sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Moskës për shkak të luftës.

Po ashtu, Beogradi nuk ka hequr dorë as nga lidhjet politike me përfaqësuesit e pushtetit në Rusi.

Whitaker gjithashtu tha se me Vuçiqin ka pasur një takim konstruktiv për “nisjen e një epoke të re në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë”.

“E vlerësojmë rolin e Serbisë në stabilitetin rajonal dhe presim me padurim stërvitjen e përbashkët të Serbisë dhe NATO-s në maj”, tha ai.

“Por, isha i qartë: bashkëpunimi i Serbisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me partnerë të pasigurt krijon varësi strategjike afatgjatë, nga e cila është e vështirë të çlirohesh, dhe e ndërlikon bashkëpunimin e ardhshëm”, shtoi Whitaker.

Related Articles