Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Beograd, Sian MacLeod thotë se Britania mbetet e përkushtuar për ta mbështetur normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja, por thotë se përparimi në dialog përfundimisht do të varet nga të dy palët, dhe jo nga ndërmjetësit e jashtëm.
Në një intervistë për “Kurir”, MacLeod tha se i vjen keq që javën e kaluar ka parë në disa gazeta në Serbi që kanë shpërndarë dezinformata dhe akuza krejtësisht të pabaza për Britaninë e Madhe në lidhje me operacionin policor të Kosovës kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në disa lokacione nëpër Kosovë, gjatë të cilave u arrestuan disa persona.
“Për fat të keq, disa qytetarë dhe pjesëtarë të policisë u plagosën në përplasjet gjatë operacionit policor. Krimi i organizuar fatkeqësisht është problem serioz në të gjithë rajonin”.
“Grupet kriminale janë të përfshira në kontrabandën e gjërave të ndryshme, përfshirë drogën dhe armët”, tha ambasadorja britanike.
Ajo thotë se Britania po punon me partnerë në të gjithë rajonin, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën, për ta luftuar krimin e organizuar dhe mbështet përpjekjet për zbatimin e ligjit.
Duke deklaruar se Britania mbetet e përkushtuar për ta mbështetur normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja, MacLeod tha se është e qartë se është në interesin e të gjitha komuniteteve që të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm, jo vetëm sepse stabiliteti i qëndrueshëm ofron mundësi më të mira për zhvillim dhe prosperitet ekonomik.
“Ndërtimi i besimit dhe i lidhjeve midis komuniteteve brenda dhe jashtë kufijve është po aq i rëndësishëm sa procesi politik. Ai përfshin adresimin e disa çështjeve të dhimbshme, siç janë rastet e personave të zhdukur, ku MB po punon për të mbështetur si autoritetet ashtu edhe familjet e tyre”.
“Por do të thotë gjithashtu të shikosh drejt së ardhmes dhe të fokusohesh në hapjen e mundësive për të rinjtë sot, si dhe krijimin e mjedisit më të mirë të mundshëm për brezat e ardhshëm”, tha ambasadorja.
E pyetur se BE-ja po e humb gjithnjë e më shumë besueshmërinë për dialogun dhe se administrata e presidentit amerikan Joe Biden po angazhohet gjithnjë e më shumë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, MacLeod u shpreh se Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së dhe nuk mund të flasë për të.
Megjithatë, ajo tha se nuk mund të pritet që ta kritikojë rolin e BE-së në këtë proces të rëndësishëm, i cili ka mbështetjen e Britanisë së Madhe, si dhe mbështetjen e qartë të Washingtonit.
“Progresi në dialog do të varet në fund të fundit nga Kosova dhe Serbia, jo nga ndërmjetësit e jashtëm”, tha ambasadorja britanike./Gazeta Enigma/