Ambasadorja e ShBA-së në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh sot se Amerika nuk do ta harrojë kurrë besnikërinë dhe solidaritetin e Shqipërisë.
Kim ka shpërndarë statusin e presidentit Bajram Begaj në Twitter, i cili reagoi për sulmet e 11 shtatorit në ShBA, duke theksuar se nderojnë të gjithë ata që humbën dhe dhanë jetën në sulmet terroriste vdekjeprurëse kundër ShBA-së dhe demokracisë, sulme të cilat e ndryshuan botën dhe perceptimin për sigurinë përgjithmonë.
Diplomatja amerikane falënderoi presidentin Begaj, ndërsa theksoi se bashkë do të jenë më të fortë.
“Amerika nuk do ta harrojë kurrë besnikërinë dhe solidaritetin e qytetarëve të Shqipërisë në kohën tonë të vështirë. Së bashku do të jemi më të fortë”, u shpreh ambasadorja Kim.