Gjatë këtij viti janë identifikuar 21 mbetje mortore, prej tyre 19 trupa shqiptarë dhe 2 serbë. Me urdhër të prokurorisë janë duke u hulumtuar disa lokacione në Kosovë, ndërkohë që gjatë kësaj kohe janë gjetur eshtra në pesë lokacione në Serbi.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tha se ka mungesë të stafit, për çka ka kërkuar përkrahje edhe nga ambasadat.
Ai në Komisionin për të Drejtat e Njeriut ka theksuar se duhet të bëhet presion edhe ndaj BE-së për të kërkuar nga Serbia zbardhjen e fatit të mbi 1,600 personave të zhdukur.
“Jemi duke punuar në ndryshimin e Ligjit për Personat e Zhdukur. Janë adresuar kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur. Ne konsiderojmë që familjarët duhet të kenë benefitetet tjera. Njëkohësisht kemi adresuar edhe një rekomandim që mos të quhet Ligji për Personat të Zhdukur por Ligji për Personat e Zhdukur me forcë. Brenda territorit të Kosovës janë urdhëresa prej prokurorisë për hulumtime, ne kemi filluar të punojmë. Për hirë të familjarëve, ne nuk i kemi bërë publike. Janë pesë lokacione që janë dhënë urdhëresa për hulumtime. Pesë lokacionet që i kemi hulumtuar dhe gjetur në Serbi nuk janë të vetmet”, tha ai.
Më tej, ai ka paraqitur edhe sfidat për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Një nga sfidat që kemi si komision është mungesa e saktë e informacioneve. Ne jemi të vetëdijshëm që ka manipulime nga Serbia. Një nga sfidat që e kemi diskutuar edhe në Bruksel, është çështja e arkivave shtetërore. Ne e dimë që në Kosovë atëherë që nuk ka qenë, Serbia ka qenë e angazhuar për të kryer këto krime. Ne mendojmë që arkivat shtetërore të Serbisë ndihmojnë shumë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. 21 identifikime kanë qenë brenda këtij viti, 19 prej tyre janë shqiptarë dhe dy serbë”, ka shtuar ai, raporton KP.
Përveç eshtrave të kosovarëve, Hoti theksoi se kërkojnë edhe personat e zhdukur me forcë. Ai ka kërkuar nga komisioni për të Drejtat e Njeriut që familjarët dhe personat e zhdukur të mos trajtohen si viktima, por të kenë një status të veçantë.