Andorra pa sulmuesin kryesor ndaj Kosovës

Andorra pa sulmuesin kryesor ndaj Kosovës

Andorra do të jetë pa sulmuesin kryesor për ndeshjen kualifikuese të Evropianit kundër Kosovës.

Berto Rosas, sulmuesi i skuadrës spanjolle Betis Deportivo, është mungesë nga lista e 23 lojtarëve të ftuar nga përzgjedhësi Koldo Alvarez de Eulate. Rosas, i cili shënoi gol kundër Kosovës në ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues për Evropian në barazimin 1:1 në “Fadil Vokrri” më 28 mars, ka telashe fizike.

Ai do t’i mungojë Andorrës edhe për duelin e 15 tetorit në udhëtim te Rumania. Mediat në Andorrë kanë shkruar të mërkurën gjatë ditës se Rosas është lënduar në barazimin pa gola kundër Bjellorusisë më 9 shtator. Kanë raportuar se ai ka shqyerje të muskulit dhe do të jetë jashtë fushës për dy muaj e gjysmë. Përveç tij do të mungojnë edhe Albert Alavedra dhe Joel Guillen. Alavedra është tërhequr për arsye personale, kurse i lënduar është edhe Guilleni. Ndeshja ndërmjet Andorrës dhe Kosovës i takon Grupit I kualifikues dhe zhvillohet të enjten nga ora 20:45. Për dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024”, përzgjedhësi i Andorrës, Koldo, ka ftuar katër lojtarë të rinj, Eric de Pablos, Kiko Pomares dhe vëllezërit Jordi dhe Chus Rubio.

Andorra në gjashtë ndeshje ka vetëm dy pikë në pozitën e fundit. Kosova ka dy pikë më shumë në vendin e pestë. Grupit i prinë Zvicra me 14 pikë, dy më shumë se Rumania dhe tri më shumë se Izraeli i vendit të tretë. Në vendin e katërt është Bjellorusia që ka katër pikë, aq sa ka edhe Kosova.

Related Articles