Anesteziologët duan paga privati (VIDEO)

Anesteziologët duan paga privati (VIDEO)

Nga 54 anesteziologë që ishin në prillin e këtij viti në QKUK, tanimë në shtator kanë mbetur vetëm  48 profesionistë të tillë.

Gjatë javëve të fundit, pesë e kanë lëshuar sektorin publik për të punuar në atë privat, derisa të tjerë kanë dhënë paralajmërim të njëjtë.

E krejt Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës numëron vetëm 89 specialistë të anestezionit me mjekim  intensiv. Për të qenë deri diku të krahasueshëm me rajonin do të duhej të ishin 240.

“Në momentin kur po flasim i kemi 5 anesteziologë për 100 mijë banore, para pandemisë i kemi pasur 5.7 anesteziologë për 100 mijë banorë”, tregon Lulzim Emini, Kryetar i Shoqatës së Anesteziologëve me Mjekim Intensiv.

Ky i fundit thekson se as Ligji i Pagave nuk do ta ndalë ikjen e këtij kuadri i cili është mjaft vital për shëndetësinë publike, ngase situata veç sa po rëndohet edhe më shumë.

Derisa, sipas anesteziologut Emini për ta mbajtur numrin aktual të këtij profili në sektorin publik dhe për t’i shtyrë mjekët e rinj për të specializuar këtë lëmi, paga duhet të jetë sa minimumi i rrogës së një anesteziologu në sektorin privat, diku rreth tre mijë euro.

Emini shpjegon se kujdestaritë e tyre në kohë pushimesh janë në çdo të tretën natë, apo edhe në rastet kur vetëm njëri nga ta mungon me arsye në punë.

Pos anesteziologëve të cilët po shkojnë në sektor privat për paga më të mëdha dhe punë më të lehtë, edhe specializantët e anestezionit po e lënë Kosovën, 10 sosh tanimë kanë shkuar jashtë vendit.

Mungesë ka edhe të teknikëve të anestezionit dhe infermierëve të intensives.

Televizioni lidhur me deficitin e këtij kuadri  situatë kjo që po cilësohet si emergjencë kombëtare, ka raportuar edhe muaj më parë dhe në vazhdimësi  për ikjen e këtij kuadri nga ShSKUK.

Related Articles