Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka komentuar mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e të parit të kësaj partie, e cila do mbahet më tre korrik.
Ai në një pronocim për Ekonomia Online tha se gara është e hapur për të gjithë, duke vë në pah që nuk do të jetë aspak e lehtë për ta, si pasojë e mungesës së themeluesve të kësaj partie të cilët po gjykohen në në Hagë.
“Është një garë e hapur dhe të gjithë ata që kanë pretendime dhe munden me shty procesin tutje përpara për reformimin e PDK-së por edhe për udhëheqjen e saj drejtë fitoreve kanë derën hapur që të konkurojnë dhe kandidojnë. Normalisht që është situatë jo e lehtë për Partinë Demokratike të Kosovës, sepse kryetari jonë Kadri Veseli dhe themelues i kësaj partie Hashim Thaçi po mbahen padrejtësisht në Hagë”.
Tutje ai tha se për PDK-në kjo është një situatë e cila kërkon bashkëpunim të të gjithëve për të zgjedhur një udhëheqës meritor, ku sipas tij, kjo parti është alternativa e vetme e qytetarëve, pas demaskimit tashmë të pozitës.
“Kjo është një situatë e cila vërtet kërkon një bashkërendim të të gjithëve që ta zgjedhim një udhëheqës vërtet meritor i cili ka me udhëheq Partinë Demokratike drejtë fitores. Po e shohim që kjo qeveri e mashtrimeve çdo ditë po demaskohet dhe do të jetë një zhgënjim i madh për qytetarët, dhe sigurisht që për ata oferta dhe alternativa e PDK-së do të jetë më e mira”.
Si përfundim ai tha se nuk mund të përmend ndonjë emër, pasi akoma nuk ka ndonjë kandidim zyrtar.
“I mbetet delegatëve të konventës, derisa nuk kemi kandidime zyrtare nuk mund të jap një mendim të tillë”, përfundoi Haxhiu.
Edhe anëtari tjetër i kësaj partie, Faton Abdullahu tha se ndryshimet në këtë parti nuk do jenë vetëm për të parin e PDK-së, por në tersi për të ndryshuar parinë e kësaj partie.
“Ndryshimet që do të bëhen në Partinë Demokratike të Kosovës përmes kësaj konvente nuk janë vetëm për të parin e partisë. Ndryshimet që do të bëhen me konventë janë se do ta ndryshojnë parinë e partisë, pra ne do të kemi ndryshime të thella, do të kemi ndryshime të mëdha krejt këtë për t’iu përgjigjur rrethanave të reja dhe qytetarëve”.
Abduallhu tutje tha se preferencat ka nga më të ndryshmet, por që zyrtare nuk ka akoma diçka, e sipas tij, terreni do jetë i barabartë për të gjithë.
“Sigurisht se ka preferenca nga më të ndryshmet, por tani për tani zyrtare nuk ka asgjë po përfliten emra të ndryshëm dhe Partia Demokratike e ka dëshmuar se është parti shumë e madhe dhe ka kuadro, dhe njerëz që kanë përvojë dhe shkallë të lartë të arsimit kualitativ, pra krejt këta e bëjnë shumë të begatshme konventën e cila do të mbahet tani së shpejti. Ajo së çfarë mund të themi është se çdo gjë që do ndodh, përgatitjet do ta krijojnë terrenin dhe mundësinë që të jetë për të gjithë e barabartë, pavarësisht se kush kandidat”, theksoi tutje ai.
Ai thotë se e sheh si urgjente këtë ndryshim jo për t’u rikthyer në pushtet PDK-ja, por për të bërë ndryshime në opozitë.
“Për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve ne e kemi parë të udhës për të ndryshuar. Ne po mbajmë konventë për ta mbrojtur Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt demokratizimit dhe për të bërë ndryshime që ta mbrojmë demokracinë e Kosovës, sepse tani si është ne e shohim që është dalë krejt procesi në të cilin duhet të ketë shtet-ndërtim. PDK e sheh këtë si urgjente, jo për tu rikthyer në pushtet me çdo kusht por duke bërë ndryshime duke qenë në opozitë, dhe jo me çdo kusht për ta marrë pushtetin, por për ta demaskuar këtë pushtet i cili është duke bërë gabime tejet të mëdha, prandaj e shohim si urgjente”, përfundoi ai.