Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, ka folur mbi masat e BE-së ndaj Kosovës. Ai tha se Turqia në parim beson se vetëm Këshilli i Sigurisë i OKB-së ka të drejtë të vendosë sanksione.
“Ne jemi kundër masave unilaterale, sanksioneve unilaterale, është principi ynë kryesor i politikave tona të jashtme, sepse ne besojmë se masat unilaterale janë kundërproduktive. E kemi parë këtë në rastin e Iranit dhe shteteve tjera dhe gjithashtu besojmë se trupi i vetëm ndërkombëtar që ka të drejtë të implementojë sanksione është Këshilli i Sigurisë i OKB-së”, deklaroi Angili në Rubikon të Klan Kosovës.
Ambasadori shtoi se deklarata e zëvendëskryeministrit Bislimi dhe kryeministrit Kurti se zgjedhjet në veri mund të organizohen pasi të largohen masat e BE-së, është shprehje e frustrimit, pasi që ka pasur dakordim në Bratisllavë për këtë çështje.
“BE-ja përbëhet nga 27 shtete anëtare, nganjëherë procesi i vendimmarrjes është i vështirë. Sipas mendimit tim jo të gjitha shtetet e BE-së mendojnë se ajo që Kosova ka bërë është e mjaftueshme për deeskalim”, tha Angili.