Testi për pranimin e infermierëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta. Disa nga kandidatët të cilat i janë nënshtruar këtij testi, janë ankuar se ka pasur parregullësi të shumta në këtë proces.
Njëra nga kandidatet e cila kishte aplikuar në këtë konkurs dhe i është nënshtruar testit tha për Indeksonline se, në testin i cili është mbajtur, ka pasur parregullësi.
Ajo tha se në këtë konkurs ka pasur një sërë shkeljesh, ndër të cilat dhe ndryshimi i pikëve të testit tek disa kandidatë, të cilët në fillim kishin më pak pikë, por të cilëve më vonë iu shtuan pikët dhe se në listat përfundimtare dolën si të përzgjedhurit në këtë konkurs.
“Ka pasur shtim të pikëve tek disa kandidatë. Pyetjet e njëjta i kemi pasur 200 veta. Ky ka qenë dyshimi kryesor, ka shtim të pikëve prej 42 pikë disave i janë shtuar pikët në 47 e 48. Njëherë listat kanë dalë me pikë të tjera dhe pastaj në listën përfundimtare disa personave, pikët u janë ngritur”, ka thënë ajo.
E për këtë ajo tashmë i është drejtuar me një ankesë Komisionit të Ankesave në QKUK, kundër vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve, për pozitën infermier me Bachelor.
“Pas publikimit të listave me kandidatët e pranuar dhe ata të papranuar, kam vërejtur se janë bërë një sërë shkeljesh, të cilat më shtyjnë të mendoj se gjatë vlerësimit janë bërë lëshime ndoshta dhe teknike, të cilat kanë bërë që kandidatët me më pak pikë në testin me gojë janë pranuar. Gjithashtu kam vërejtur se ka gabime dhe në përllogaritjen e pikeve totale, të cilën lehtësisht mund ta verifikoni”, thuhet në ankesën e saj.
Ndërsa nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) i është thënë Indeksonline se çdo pakënaqësi e ngritur apo pretendim, po shqyrtohet nga Komisioni i ankesave si organ kompetent.
“Ju informojmë se bazuar në legjislacionin në fuqi, konkursi është në fazën kur kandidatët e pakënaqur e kanë të drejtën t’i drejtohen komisioni për ankesa, çdo pakënaqësi, apo pretendim i ngritur shqyrtohet nga komisioni i ankesave si organ kompetent”, thuhet në përgjigjjen e SHSKUK-së.