Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara në Hagë ka lëshuar një aktvendim lidhur me ankesën e Salih Mustafës, i cili pretendonte shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Sipas këtij aktvendimi, një pjesë e ankesave të paraqitura nga Mustafa janë shpallur të papranueshme, ndërsa pjesa tjetër është refuzuar, shkruan Gazeta Enigma.
“Z. Mustafa kishte paraqitur pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në lidhje me procesin penal kundër të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktvendim, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i shpalli të papranueshme një numër ankesash të tij, kurse të tjera i rrëzoi”, thuhet në njoftimin e Speciales.
“Z. Mustafa u ankua për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej Trupit Gjykues dhe Panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme. Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatoi gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre. Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të z. Mustafa në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet tutje në aktvendim./GazetaEnigma/