Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, e të shpeshtë janë edhe të miturit.
Një rast i tillë është zbuluar në rrugën “Malush Kosova” në Prishtinë ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur një të dyshuar për kontroll i cili ishte duke qarkulluar me veturë.
Sinjali mëson se njësiti i Antidrogës ka gjetur substancë të dyshuar narkotike tek 23-vjeçari.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, 23-vjeçari do të hetohet për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.