AP shkruan se si pishina e Gërmisë s’po mund të mbushet me ujë shkaku i thatësirës

AP shkruan se si pishina e Gërmisë s’po mund të mbushet me ujë shkaku i thatësirës

Ballkani Perëndimor po përballet me një thatësirë të rëndë pasi një valë të nxehti goditi rajonin, duke penguar jetën e përditshme dhe duke shkaktuar probleme në bujqësi dhe energji, shkruan agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press.

Temperaturat të enjten në Shqipërinë qendrore arritën në 40°C (104°F) dhe meteorologët paralajmëruan se do të ketë reshje të pakta deri në shtator. Lumenjtë janë pothuajse të tharë për shkak të mungesës së reshjeve gjatë dimrit dhe pranverës.

Temperaturat e larta kanë shtyrë autoritetet shqiptare ta ndihmojnë bujqësinë lokale me rrjete ujitjeje. Një projekt për të marrë ujë nga lumi Mat në veri për të ndihmuar në ujitjen e rreth 4,000 hektarëve (9,885 akra) tokë bujqësore në zonë përfundoi të martën.

Po ashtu ka pasur ndikim negativ në prodhimin e energjisë në Shqipëri, e cila kryesisht vjen nga hidrocentralet në veri të vendit. Korporata kombëtare e energjisë shpenzoi deri në 60 milionë euro (70 milionë dollarë) për të importuar energji në gjysmën e parë të këtij viti.

Instituti shtetëror meteorologjik i Serbisë ka paralajmëruar se “thatësira ekstreme” po ndikon në kulturat bujqësore të vendit, ndërkohë që nivelet e ujit në lumenj dhe liqene kanë rënë.

Qytetet e vogla dhe fshatrat në të gjithë Serbinë po përballen gjithashtu me kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.

Në Kosovë, mungesa e ujit mbylli një pishinë në ambient të hapur në kryeqytet, Prishtinë, e cila përdorej nga njerëzit për t’u freskuar gjatë vapës së verës.

Pishina e Gërmisë në periferi të qytetit u ndërtua në fund të viteve 1980 si një destinacion rekreativ dhe konsiderohet si një ndër më të mëdhatë në kontinent. Në këtë kohë të vitit të kaluar, pishina priste nga 4,000 deri në 5,000 vizitorë në ditë.

Parku i Gërmisë, i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe mundësitë rekreative, ndodhet mes kodrash dhe maleve që ofrojnë burimet natyrore të ujit për pishinën. Por këtë vit, stafi i pishinës nuk ka mundur të sigurojë 20,000 metra kub (5.3 milionë galonë) ujë të nevojshëm.

Në vitet e kaluara, janë dashur gjashtë ditë për ta mbushur pishinën, por këtë vit do të duhen më shumë se tre javë për shkak të thatësirës, tha menaxheri Bardh Krasniqi.

“Për shkak të valës së fortë të të nxehtit që aktualisht po ndikon në vendin dhe gjithashtu në rajonin, për fat të keq nuk kemi arritur ta hapim pishinën më të madhe në vend”, tha Krasniqi.

Ndërsa temperatura pritej të arrinte 35°C (95°F) të enjten, Instituti i Shëndetit u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë larg diellit të drejtpërdrejtë dhe paralajmëroi që fëmijët, të moshuarit dhe të gjithë ata që janë të sëmurë të qëndrojnë në shtëpi.

Në Bosnjë, temperaturat në qytetin jugor të Mostarit arritën 41°C (105.8°F) të enjten, me rrugët pothuajse tërësisht bosh në vapën përvëluese.

Gjatë valës së të nxehtit në Europë javën e kaluar, temperaturat përvëluese arritën deri në 46.6°C (115.9°F) në Mora, Portugali. Zjarret pyjore janë të shpeshta në rajon gjatë verave të nxehta dhe të thata.

Related Articles