Apeli anulon vendimin e Themelores për dënimin me 500 euro gjobë ndaj avokatit Gutaj

Apeli anulon vendimin e Themelores për dënimin me 500 euro gjobë ndaj avokatit Gutaj

Gjykata e Apelit, e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila më 23 mars 2023, ndaj avokatit Gutaj ka shqiptuar dënimin me gjobë në shumën prej 500 euro për mungesën në seancë gjyqësore.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren ndryshohet dhe se dënimi i shqiptuar në shumën prej 500 euro është anuluar.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar Mirsad Badalli, avokat Esat Gunj, ashtu që ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për të Krime të Rënda, PKR.nr.203/2022 të datës 21.03.2023, dhe anulohet dënimi i shqiptuar me gjobë në shumën prej 500 € ndaj përfaqësuesit të palës së dëmtuar avokat Esat Gutaj”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klan Kosova.

Kundër vendimit të Themelores, në afat ligjor, avokati Gutaj kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas vendimit të Apelit, aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore , ngase gabimisht është zbatuar dispozita nga Kodi i Procedurës Penale (KPP) dhe se dënimi ndaj avokatit Gutaj duhet të revokohet.

“Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, arsyetimit të aktvendimit ankimor dhe ankesës së avokatit Esat Gutaj, ka gjetur se aktvendimi i ankimuar duhet ndryshuar dhe dënimi me gjobë ndaj të avokatit Gutaj duhet revokuar, për shkak se aktvendimi i tillë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.2 pika 2.1 të KPPRK- së, pasi që në mënyrë të gabuar ka zbatuar dispozitën e nenit 304 par.1 të KPPRK-së”, thuhet në vendim.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se, nga arsyetimi i aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë rezulton se përfaqësuesi i palës së dëmtuar Mirsad Badalli, avokati Gutaj, ishte dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro, për shkak se i njëjti nuk kishte prezantuar në shqyrtimin fillestar edhe pse ishte i ftuar në mënyrë të rregullt përmes flete dërgesës së pranuar dhe mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

Andaj, Apeli ka vlerësuar se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë për gjobitjen e avokatit Gutaj është i pabazuar dhe si rrjedhojë e interpretimit jo të drejtë të dispozitës procedurale të nenit 304 par.1 të KPP-së, pasi që kjo dispozitë ligjore nuk përfshin gjobitjen edhe të avokatit i cili mbron palën e dëmtuar.

Sipas Apelit, mos prezenca e përfaqësuesit të palës së dëmtuar nuk shkakton ndonjë pasojë e cila e pamundëson mbajtjen e seancës dhe mbarëvajtjen e punës së gjykatës.

“Bazuar në dispozitat procedurale, prezenca e përfaqësuesit të palës së dëmtuar në asnjë moment nuk pengon zhvillimin e procedurës penale, e rrjedhimisht as mos prezenca e përfaqësuesit të palës së dëmtuar nuk ka ndonjë pasojë që kishte shkaktuar pamundësinë e mbajtjes së seancës e shqyrtimit gjë që rrjedh edhe nga procesverbali i shqyrtimit të kundërshtimit të prova dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës i datë 21.03.2023 e që mos prezenca e përfaqësuesi të palës së dëmtuarit nuk ka shkaktuar pasojë në pengesën e mbarëvajtjes së punës së gjykatës.” thuhet në vendim.

Related Articles