Apeli e liron nga akuzat për korrupsion ish-kryetarin e Malishevës

Apeli e liron nga akuzat për korrupsion ish-kryetarin e Malishevës

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është liruar nga akuza për korrupsion nga Gjykata e Apelit.

Sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com, Gjykata e Apelit me aktgjykim e ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë nga vendimi dënues në atë lirues.

Shkalla e parë e kishte dënuar Begajn me 6 muaj burgim, i cili me pëlqimin e Begajt u zëvendësua me gjobë prej 5 mijë euro.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Ragip Begaj, Av. Emrush Kastrati, dhe aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special i datës 14.04.022 ndryshohet ashtu që i akuzuari lirohet nga akuza” – thuhet në aktgjykim.

Gjykata këtë vendim e mori në seancën që është mbajtur më 28 korrik 2022.

Begaj, sipas prokurorisë në vitin 2018 kishte caktuar një lokacion për ndërtimin e një shkolle në fshatin Prenoc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit Rexhep Rudi që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të shkollës.

Dosja e prokurorisë thotë se një pjesë e kësaj shkolle ishte planifikuar që të ndërtohet në pronë private, e cila ishte në kundërshtim me vendimet e Komunës së Malishevës.

Related Articles