Prej thuajse një muaji ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ndodhet në arrest shtëpiak, me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Këtë të enjte, Apeli i Posaçëm pasi dëgjoi argumentet e avokatëve të ish-kryeministrit, ka vendosur që të rrëzojë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë ose lehtësim të saj.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, njofton Gjykata.
Në një prononcim për mediat, avokati Genc Gjokutaj e ka cilësuar këtë vendim të Apelit si një absurd duke theksuar se do vijojë rekursi në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e miratoi vendimin e Shkallës së Parë. Unë ju thashë dhe dje, kërkesa për përjashtimin e gjyqtares u shqyrtua pas marrjes së vendimit për Berishën, është një gjë absurde. As më shumë e as më pak, Gjykata e Apelit vërtetoi që u dekriptua përfundimisht qëllimi politik i mbajtjes në izolim të zotit Berisha. Pasi për SPAK-un dhe për Gjykatën Anti-Korrupsion nuk ka rëndësi nëse ai paraqitet ose jo, nëse ai jep shpjegime apo jo, është në dispozicion të procesit apo jo, qëllimi është që ai të izolohet. Zoti Berisha erdhi një ditë para gjykimit, Gjykata e shtyu sot, nuk e kuptova arsyen. Ka bërë dhe një gabim tjetër, se nuk është shprehur për kërkesën për përjashtimin që ne kemi animuar bashkë me vendimin.Beteja vazhdon! Ajo e shpalli vendimin, nuk kemi ça presim…Do të rekursohet vendimi i Apelit”, deklaroi Gjokutaj.
Dy mbrojtësit e liderit të opozitës e konsiderojnë vendimin e dhënë në 30 Dhjetor si të paligjshëm dhe të marrë në kushtet kur më parë duhej shqyrtuar kërkesa e tyre për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Ndërkohë nga ana tjetër, prokurorët thonë se Berisha nuk ka respektuar vendimmarrjen e gjykatës dhe rëndësinë e veprës penale./tvklan.al