Këshilli i Europës, vazhdon ta mbajë në sirtar aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Vonesat në shqyrtimin e tij po konsiderohen burokratike. Por vlerësohet se ka qenë momenti i duhur për ta bërë aplikimi, pavarësisht kritikave se Kosova duhej të priste deri sa të siguronte shumicën e votave në Këshill.
Megjithatë përparimi në këtë drejtim duket se ndërlidhet me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, shkruan a2cnn.
“Kosova nuk mundet të mbetet peng i askujt në Bashkimin Evropian për të pritur ndonjë momentum sepse kurrë ai momentum nuk mund të arrihet në një situatë të cilën jemi, duke marrë parasysh krizën dhe luftën që e kemi në Ukrainë”, thotë analisti Gazmir Raci.
“Vendet kyçe të BE-së kanë mbështetur aplikacionin tonë, këtë e kanë konfirmuar qartazi, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, megjithëse kjo e fundit ka nënvizuar ndërlidhjen me dialogun. Këtu besoj se duhet të jetë vëmendja e institucioneve tona, në sytë e partnerëve tanë, por edhe në sytë e ShBA-ve, çdo avancim i yni në skemën ndërkombëtare është i lidhur me dialogun. Andaj aktet sikur marrëveshja për udhërrëfyesin në funksion të zbatimit për energjinë të vitit 2013 është hap i duhur dhe i cili do të mbështes aplikacionin tonë për Këshill të Evropës”, thotë Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik.
Ndërkohë, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin të Europës më 12 maj të këtij viti, por kërkesa nuk u përfshi në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE të mbajtur më 20 maj. Shpresa për shqyrtim të aplikimit mbetet në mbledhjen e radhës, që mbahet vitin e ardhshëm.